Shpallje
Në Ditën Ndërkombëtare të Vajzave dhe Grave në Shkencë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, kanë vizituar shkollën fillore të mesme të ulët “Naim Frashëri”, ku janë zotuar për mbështetjen e vajzave dhe grave në shkencë
Në shënimin e kësaj dite, ata kanë vizituar Klubin e Kodimit ku kanë parë nga afër projektet inovative të zhvilluara nga nxënëset e shtatë shkollave të mesme të ulëta nga e gjithë Kosova.
Kryeministri Kurti, me këtë rast, tha se për Qeverinë e Republikës së Kosovës, zhvillimi i gjithmbarshëm nuk mund të paramendohet pa arsim cilësor, pa zhvillim të kapitalit njerëzor, e qasje të barabartë në mundësitë për zhvillim.
Kryeministri tha se nga viti i ardhshëm do të organizojmë konferencën vjetore për gratë në shkencë, për të promovuar arritjet shkencore të grave dhe vajzave, ndërsa tha se me Rrjetin e Grave në STEM, do të ofrohet ombrellë afatgjatë e organizimit dhe forcimit të grave dhe vajzave në këto fusha shkencore.
Ministrja Nagavci, ndërkaq, përmendi pjesëmarrjen e ulët të grave dhe vajzave që studiojnë STEM, ndërsa foli për mbështetjen që po ofron MAShTI për ato gra dhe vajza që studiojnë në këto fusha, qoftë përmes bursës elitare, apo bursave për gratë dhe vajzat që studiojnë STEM, e që për këtë vit janë ndarë 1365 bursa në vlerë 1.000 euro.
Po ashtu, Ministrja theksoi rolin e madh që kanë shkollat për të promovuar barazi gjinore dhe mundësi të barabarta për të gjithë. Ajo falënderoi edhe partnerët zhvillimorë që ndihmojnë në këtë drejtim, sikur që është projekti “Shkollat e shekullit 21”.
Në këtë vizitë mori pjesë edhe zv.ministrja e Arsimit, Edona Maloku Bërdyna, Zëvendës Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jacob Webber, kryetarja e Këshillit Kombëtar të Shkencës Myzafere Limani, si dhe fitueset e çmimeve “Shkencëtar të vitit” dhe “Shkencëtar i ri i vitit” për vitin 2021, Dr.Ibadete Bytyçi dhe Dr.Fjolla Kaçaniku.