Shpallje
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci mori pjesë në panelin e diskutimit në kuadër të fushatës “Ndërgjegjësimi për Rëndësinë e Zhvillimit në Fëmijëri të Hershme - Vnoma Veshin”, e cila në fokus të temës së diskutimit kishte zhvillimin e kompetencave demokratike duke filluar nga fëmijëria e hershme.
Kjo fushatë është organizuar nga Caritasi zviceran, përmes Projektit SHPRESE, i cili promovon të drejtat e fëmijëve/njeriut, balancimin gjinor në rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve, arsimin gjithëpërfshirës, të mësuarit përmes lojës dhe të bërit i dukshëm/dëgjueshëm zëri i fëmijëve.
Ministrja Nagavci me këtë rast ka theksuar se, edukimi në fëmijërinë e hershme është prioritet jo vetëm për MASHTI, por për tërë Qeverinë dhe investimi në këtë fushë është esencial për zhvillimin e mëtutjeshëm të Kosovës.
Nagavci tha se, përtej përgatitjes së fëmijëve për shkollë, edukimi i hershëm ndihmon në zhvillimin socio-emocional, kognitiv, gjuhësor, si dhe ndikon pozitivisht në rritjen e fëmijëve si qytetarë të përgjegjëshëm, ku përfitues do të jenë jo vetëm familja, por gjithë shoqëria.
Ministrja Nagavci theksoi se, me qëllim për të përkrahur infrastrukturën e nevojshme fizike, Qeveria e Kosovës këtë vit ka alokuar 5 milion euro buxhet për ndërtimin e çerdheve të reja dhe ridestinimi i hapësirave shkollore për këtë nivel të edukimit.
Nagavci po ashtu u shpreh se sfidë mbetet përfshirja e ulët e fëmijëve në edukimin e hershëm, sidomos për moshën 0-5, ku shifrat flasin për pjesëmarrje vetëm 6.7 të fëmijëve në edukim.
Ndër të tjera, sipas ministres Nagavci, ngritja e cilësisë në edukimin e hershëm synohet të bëhet përmes përmirësimit të infrastrukturës ligjore, hartimit të kurrikulës me fokus në edukimin përmes lojës, ngritjes së kapaciteteve të gjithëpërfshirjes, rritjes së numrit të bashkëpunëtorëve profesional, si dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve.
Në fund, ministrja Nagavci kërkoi nga edukatoret dhe stafi menaxherial që të jenë më insistues dhe më kritikues karshi kërkesave të tyre për përmirësimin e kushteve në sistemin e edukimit, pasi që ajo tha se, vetëm duke shtuar kërkesat bëhemi më përgjegjës dhe më të suksesshëm, ndërkaq uroi që të gjithë ne të jemi modeli më i mirë për fëmijët tanë.