Shpallje
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci mori pjesë në panelin e diskutimit me përfaqësues të institucioneve në nivelet më të larta të qeverisjes lidhur me Edukimin në Fëmijërinë e Hershme (EFH), integrimin e kësaj fushe në agjendën strategjike/programet e Ministrisë së Arsimit dhe dedikimin për koordinimin ndërsektorial.
Temë diskutimi në këtë panel të organizuar nga Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës, përkrahur nga Banka Botërore dhe UNICEF, ishte “Investimi në kapitalin njerëzor: Thirrje për Veprim për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme në Kosovë”, ku të ftuar ishin edhe përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Ministria e Shëndetësisë.
Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci me këtë rast theksoi se EFH veç se është prioritizuar në çdo aspekt brenda MAShTI, duke përfshirë dokumentet udhëzuese të cilat do të ndihmojnë orientimin në ngritje të cilsësisë dhe qasjes në EFH.
Duke folur për investimet në këtë nivel, ministrja Nagavci bëri të ditur se, Qeveria ka rritur buxhetin për EFH, ku specifikisht do të ketë fokus ndërtimin dhe adaptimin e objekteve për çerdhe, në mënyrë që të rritet përfshirja e fëmijëve në këtë nivel të edukimit.
Ministrja Nagavci edhe njëherë theksoi se së shpejti Ligji për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme pritet të dërgohet në diskutim publik dhe pas miratimit do të zhvillohen aktet nënligjore, ndërsa shtoi se EFH është një nga 5 fushat prioritare të identifikuara në PSAK.
Ministrja Nagavci foli edhe për themelimin e Komitetit Këshillues për EFH që ka për qëllim ofrimin e një forumi gjithëpërfshirës dhe ndërsektorial për të lehtësuar komunikimin dhe bashkëpunimin ndërmjet palëve të interesit dhe për të ndihmuar MAShTI-n në zhvillimin dhe implementimin e duhur të politikave në EFH.
Ndër të tjera, ministrja Nagavci tha se, strategjitë që MAShTI do të ndërmarrë për ngritjen e qasjes dhe kualitetit të programeve të EFH për fëmijët e cenuar janë: sigurimi i mbështetjes përmes asistentëve dhe bashkëpunëtorëve profesional, lirimi nga pagesa për familjet në nevojë, duke përfshirë familjet rurale, të varfërit, fëmijët me nevoja të veçanta dhe komunitetet pakicë, etj.
Presidentja Vjosa Osmani, zëvendëspresidentja Rajonale e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore , Anna Bjerde dhe drejtorja rajonale i UNICEF-it për Evropën dhe Azinë Qendrore, Afshan Khan, folën për rëndësinë e investimit në fëmijërinë e hershme, si bazë për ndërtimin e një kapitali të fortë njerëzor dhe si katalizator për zhvillimin dhe prosperitetin ekonomik të Kosovës.
Aktivitetet e MAShTI tashmë në proces dhe planet për avancimin e edukimit në fëmijërinë e hershme, të cilat dalin nga plani qeverisës dhe kanë synim gjithëpërfshirjen e cilësinë nëkëtë nivel, u përkrahën nga Presidentja Osmani, Kryeministri Kurti dhe të gjithë pjesëmarrësit tjerë në këtë ngjarje të nivelit tëlartë.