Shpallje
Me aktivitete të shumta është shënuar sot 7 Marsi – Dita e Mësuesit, ku krerët më të lartë të institucioneve kanë shprehur mirënjohje për të gjithë mësimdhënësit, ndërsa janë zotuar se do të punojnë me përkushtim për të krijuar kushte e politika arsimore që garantojnë mësimdhënie dhe mësimnxënie cilësore.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja Arbërie Nagavci, filluan aktivitetet e sotme duke përuruar pllakën në shtëpinë e familjes së z. Ibrahim Gashi, ku gjatë viteve 1991-1998 në shtëpinë e tij është zhvilluar procesi mësimor për nxënësit e shkollës së mesme të muzikës “Prenk Jakova”.
Kryeministri Kurti me këtë rast theksoi se, Ibrahim Gashi ka dhënë kontribut si rrallëkush tjetër, andaj jemi mirënjohës dhe falënderues ndaj veprës së tij.
Ndërsa, ministrja Nagavci, ndër të tjera theksoi se, janë mijëra familje që janë solidarizuar në kohët më të vështira të arsimit shqip, prandaj jemi këtu për të shprehur mirënjohjen për të gjithë ata të cilët kanë kontribuar në këtë drejtim.
Ndërkaq, mesazhe urimi për të gjithë mësimdhënësit në Kosovë, kryeministri Kurti dhe ministrja Nagavci përcollën nga shkolla “Elena Gjika” në Prishtinë.
“Progresi tek nxënësit, që është dëshmi e punës së mësimdhënësve dhe përkushtimit të shtetit, është dëshmia më e qartë, më e saktë për atë që na pret në të ardhmen”, tha kryeministri Kurti.
Ndërsa, ministrja Nagavci tha se nuk duhet të kursejmë asgjë nga vetja që të përgatisim qytetarë të përgjegjshëm dhe të dobishëm për shoqërinë, duke shtuar se Qeveria dhe Ministria e Arsimit janë të përkushtuar për të krijuar kushte e rrethana për punën mësimdhënësve.
Në manifestimin kryesor në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”, ministrja Nagavci ndau çmimin “Shaban Jashari” për mësimdhënësen e dalluar Merita Gashi nga Rahoveci, e po ashtu edhe mirënjohje për mësimdhënësit e dalluar nëpër komuna.
Me këtë rast, Ministrja tha se, sot po shënojmë një ditë të veçantë, ditën kur ne nderojmë mësuesit tanë dhe sjellim në vëmendjen tonë hapjen e Mësonjtores së parë shqipe në Korçë dhe mendjendriturit e kombit që e drejtuan atë, si Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Thoma Avrami, e të tjerë.
Ministrja Nagavci theksoi se, për ndryshim nga mësuesit e vendeve të ndryshme në botë, mësuesi shqiptar përgjatë gjithë historisë paralelisht me arsimimin, kishte edhe një mision tjetër: të frymëzojë gjeneratat që të mos e pranojnë robërinë dhe nënshtrimin, por ta bëjnë luftën e tyre për liri e shtet.
Ministrja Navagci tha, përkulemi para të gjithë mësimdhënësve për punën e palodhshme dhe përkushtimin për ta kaluar çdo sfidë, duke u qëndruar pranë nxënësve me gjithë qenien e tyre intelektuale, atdhetare e njerëzore.
Sot, theksoi ministrja Nagavci, kemi një mision tjetër, po kaq të rëndësishëm, të sigurohemi se e ardhmja e fëmijëve tanë do të jetë e ndritur dhe se ata do të ecin të sigurtë përkrah bashkëmoshatarëve të tyre në botë.
Ministrja Nagavci theksoi se, Ministria e Arsimit tashmë është duke punuar në shumë drejtime për të avacuar pozitën e mësimdhënësit dhe për të ofruar kushte e politika arsimore që garantojnë mësimdhënie dhe mësimnxënie cilësore.