Shpallje
Kuvendi i Kosovës ka mbajtur sot seancë solemne për shënimin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, ku kanë marrë pjesë edhe veteranë të arsimit, si dhe mësimdhënësit e dalluar nëpër komuna.
Me këtë rast, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pasi që uroi mësimdhënësit për këtë ditë, theksoi se mësuesi nuk është ai që na sjell dijen abstrakte dhe vetminë, por virtytin publik të lirisë, deri edhe dijen e vetëmohimit në emër të hapjes së një epoke të re. Ndërsa, ai shtoi se këtë e bëri edhe Pandeli Sotiri në Korçë në fund të shekullit XIX, këtë e bëri edhe Shaban Jashari në Skenderaj një shekull më vonë.
“Dhe si çdo kombi, edhe ne na duhet një epope e arsimit, një epope që e shpall arsimin. Ashtu si epopeja që e përkujtuam dje dhe pardje e sot, si epopeja e lavdishme që na shpalli vullnetin, po ashtu na lipset një epope që na e ngjall inteligjencën, vendosjen e vullnetit në racionalitet”, tha Kryeministri.
Kryeministri Kurti foli edhe për hapat që duhet të ndërmarrë Qeveria dhe reformat që duhen bërë me qëllim ngritjen e cilësisë në arsim.
Ndërkaq, mësuesja veterane e arsimit, Nysrete Krasniqi, në emër të veteranëve të arsimit falënderoi institucionet dhe gjithë shoqërinë për mbështetjen ndaj mësuesve, ndërsa ndau momente të veçanta të punës së saj me nxënësit.
Më pas, veteranët e arsimit, u pritën nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe ministrja Arbërie Nagavci. Edhe në këtë takim u fol për rolin kyç që kanë pasur mësimdhënësit përgjatë viteve dhe për rolin që kanë sot në përgatitjen e gjeneratave të reja.
Ministrja Nagavci foli për punën që është duke u bërë për të përmirësuar politikat arsimore dhe pozitën e mësimdhënësve dhe shprehu përkushtimin e saj dhe të MAShTI në këtë drejtim.