Shpallje
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë nënshkruar sot Memorandumin e Bashkëpunimit për ofrimin e mbështetjes financiare për studentët e komuniteteve ashkali, egjiptian dhe rom të cilët studiojnë në universitetet publike në Kosovë.
Qëllimi i këtij Memorandumi është promovimi i edukimit te këto komunitete, nxitja në zhvillim akademik, krijimi i mundësive që studentët të mos i ndërpresin studimet për shkak të kushteve të vështira materiale, si dhe krijimi i brezave të rinj të mësimdhënësve dhe ligjëruesve nga radhët e komuniteteve.
Me këtë rast, ministrja Nagavci, pasi që theksoi rëndësinë e mbështetjes financiare për studentët e këtyre komuniteteve, përmendi edhe mbështetjen që po jep Ministria për Qendrat mësimore me bazë në shkollë dhe me bazë në komunitet, si dhe bursat që ndahen për nxënësit e shkollave të mesme për komunitetet ashkali, egjiptian dhe rom.
Ndërkaq, ministri Krasniqi, ndër të tjera, theksoi se kjo përkrahje financiare do të ndikojë në rritjen e nivelit arsimor të këtyre komuniteteve, ndërsa tha se për informim rreth kësaj mundësie duhet të punohet bashkë me shoqërinë civile, shkollat dhe komunat.
Ministrat Nagavci e Krasniqi u zotuan se si institucione do të punojnë vazhdueshëm për krijimin e mundësive të barabarta në arsim për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.