Shpallje
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci mori pjesë në takimin e rregullt me Drejtoritë Komunale të Arsimit, ku është biseduar për përfundimin e periudhës së dytë të vitit shkollor 2021-2022, formën dhe organizimin e testit të Arritshmërisë, testit PISA dhe testi TIMSS dhe çështje të tjera me rëndësi për proceset që janë duke u zhvilluar në arsim.
Ministrja Nagavci me këtë rast kërkoi nga drejtorët e arsimit që të adresojnë në nivelin qendror problemet me të cilat ballafaqohen, në mënyrë që të gjenden mundësi të tejkalimit të sfidave, ndërkaq kërkoi punë dhe përkushtim në realizimin e vlerësimeve kombetare dhe ndërkombetare, që pritet të mbahen deri në fund të këtij viti shkollor.
Duke folur për punësimin e psikologëve dhe pegadodëve në shkolla, ministrja Nagavci tha se kjo çështje ka ngecur për shkak të rialokimit të mjeteve dhe se po synohet formimi i një komisioni që do të siguronte mbikëqyrje nëse mjetet nga granti specifik për këtë kategori do të shfrytëzohen për këtë çështje.
Ndër të tjera, Ministrja bëri të ditur se në grantin specifik për këtë vit janë përfshirë tri pagat jubilare për mësimdhënësit e pensionuar, në mënyrë që kjo e drejtë mos të realizohet përmes rrugëve të tjera, ndërsa për politikat afatgjata të Ministrisë foli për pagesën e orës së kujdestarisë dhe rritjen e numrit të këshilltarëve të karrierës në shkollat e mesme të ulëta.
Në këtë takim u bë edhe prezantimi i mundësisë së përfitimit në arsimin dhe aftësimin profesional nga thirrja e dytë e Fondit Rajonal të Sfidës (RCF).