Shpallje
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe OJQ- YMCA MOVEMENT nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi i cili ka për qëllim promovimin e edukimit joformal, me fokus të veçantë promovimin dhe fuqizimin e aktiviteteve jashtëkurrikulare dhe zhvillim e aktiviteteve të ndryshme për të rinjtë, në kuadër të Projektit “Qendra e edukimit joformal”.
Ministrja Arbërie Nagavci me këtë rast theksoi se, aktivitetet e kësaj natyre janë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe të domosdoshme për zhvillimin arsimor të nxënësve dhe ndërtimin e karrierës së tyre në të ardhmen.
Nagavci po ashtu tha se, hapësirat jashtëshkollore ofrojnë mundësi për zhvillimin e të menduarit kritik dhe zgjidhjen e problemeve emocionale, duke bërë ata të jenë më social dhe më bashkëpunues më njëri-tjetrin.
Ndërsa, drejtoresha e OJQ- YMCA MOVEMENT, Dorina Davies tha se aktivitetet jashtëkurrikulare të ofruara nga Qendrat e Rinisë të OJQ-së YMCA MOVEMENT në komunat e ndryshme të Kosovës, kanë si model praktikat perëndimore në edukimin joformal të fëmijëve dhe të rinjve dhe synojnë ngritjen e kapaciteteve të institucioneve që punojnë në këtë drejtim në Republikën e Kosovës.
Projekti “Qendra e edukimit joformal” pritet të lansohet më 1 qershor dhe të sjellë eksperiencën ndërkombëtare në fushën e edukimit joformal për nxënësit e shkollave të mesme të ulëta dhe të mesme të larta, konform standardeve të Bashkimit Evropian.
YMCA MOVEMENT është anëtare në Federatën Evropiane YMCA, njëherit organizata e parë e të rinjve në botë e themeluar më 1844 në Londër.