Shpallje
Ministrja Arbërie Nagavci ka marrë pjesë në konferencën rajonale me temë “Fuqizimi ekonomik i grave në Ballkanin Perëndimor”, e cila është mbajtur në Tiranë. Ajo mes tjerash ka thënë se gratë ende nuk e kanë vendin e merituar në shoqëri, ndërsa përmendi faktin se ato vazhdojnë të ballafaqohen me dhunë fizike dhe psikologjike, si dhe me padrejtësi të shumta në punën dhe jetën e tyre.
Në këtë konferencë të organizuar nga Friends of Europe's Balkan Journey dhe të mbështetur nga UNDP, ministrja Nagavci tha se fuqizimi ekonomik i grave, nuk i fuqizon vetëm ato, por edhe për familjet e tyre, si dhe kontribuon në zhvillimin e vendit dhe ekonomisë së tij.
Prandaj, Ministrja tha se duhet të punojmë çdo ditë për të përmirësuar pozitën e gruas në shoqërinë tonë, ndërsa përmendi faktin se Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit janë duke punuar shumë për ngritjen e cilësisë së arsimit dhe rritjen e kapaciteteve kërkimore, gjithmonë duke siguruar përfaqësim të barabartë gjinor dhe fuqizim të grave.
Duke folur për politikat dhe punën që po bëhet në Ministrinë e Arsimit për të rritur cilësinë dhe përfaqësimin e barabartë gjinor, ministrja Nagavci theksoi se po reflektojmë me ndjeshmëri parimet e barazisë gjinore që në edukimin e fëmijërisë së hershme, e po ashtu edhe në tekste shkollore.
Pasi që theksoi besimin se fuqizimi i grave drejtohet nga edukimi, ndër të tjera, ministrja Nagavci, tha se këtë vit për herë të parë janë ndarë 1.365 bursa nga 1 mijë euro për vajza dhe gra të cilat studiojnë në fushat STEM.