Shpallje
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger, Monika Mott nga Agjencia për Arsim dhe Ndërkombëtarizim ( OEaD) dhe përfaqësues të institucioneve të Arsimit dhe Aftësimit Profesional morën pjesë në ceremoninë e fillimit të projektit të ri regjional në fushën e AAP-së "Sigurimi i Cilësisë për Punën e Koordinatorëve Përgjegjës për Marrëdhëniet me Biznesin", si vazhdimësi e projektit paraprak “Shkolla takon Biznesin”.
Ky projekti do të fokusohet në rritjen e cilësisë së “Të mësuarit në vend të punës” në tri vendet partnere: Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut.
Ministrja Nagavci me këtë rast theksoi se, Arsimi dhe Aftësimi Profesional ka trajtim prioritar nga Qeveria, andaj në mënyrë që AAP t'i përgjigjet nevojave të tregut të punës, përfshirja e sektorit privat në të gjitha proceset është thelbësore dhe parakusht i domosdoshëm për një sistem të suksesshëm të AAP-së.
Nagavci tha se, bashkëpunimi i institucioneve arsimore me ndërmarrjet është shumë i rëndësishëm në identifikimin e nevojave të ndërmarrjeve për kuadro të kualifikuara, procesin e zhvillimit të kurrikulave, ofrimin e mundësisë nxënësve për të praktikuar shkathtësitë në mjedise të punës, vlerësimin e tyre dhe punësimin.
Ministrja Nagavci shprehu mirënjohje për mbështetjen e ofruar nga donatorë/projekte të ndryshme për shkollat profesionale, ndërsa uroi që ky projekt të zbatohet me sukses nga shkollat dhe bizneset.
Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger dhe Monika Mott nga Agjencia për Arsim dhe Ndërkombëtarizim thanë se ky projekt është edhe një shembull i bashkëpunimit të suksesshëm në mes të Kosovës dhe Austrisë në fushën e AAP-së, ndërsa theksuan rëndësinë e përgatitjes së kuadrove profesionale me shkathtësi të duhura për punë, si nevojë e domosdoshme e ekonomisë moderne.