Shpallje
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërije Nagavci, priti në takim një delegacion nga Universiteti i Zarës, të prirë nga rektorja Prof. Dr. Dijana Vican me prorektoren dhe bashkëpunëtorët, të shoqëruar edhe nga udhëheqësja e projektit ALLED2, Efka Heder.
Në këtë takim është biseduar për bashkëpunimin e ndërsjellë në arsim, me theks të veçantë, ndihmën që mund të japë ky universitet dhe projekti ALLED2 në përmirësimin e cilësisë në Arsim dhe Aftësimin Profesional në Kosovë.
Ministrja Nagavci falënderoi rektoren Vican dhe ekipën e saj për gatishmërinë për ta mbështetur këtë segment të rëndësishëm të arsimit, zhvillimi i të cilit është edhe një nga prioritetet e MAShTI. Ajo theksoi se po punohet në reformimin e këtij segmenti të arsimit dhe është vendosur edhe si një nga fushat prioritare në Planin Strategjik të Arsimit për pesë vitet e ardhshme.
Ndërsa, rektorja Dijana Vican shprehu gatishmërinë që ekspertizën dhe përvojën e Universitetit të Zarës, i cili është edhe më i vjetri në Kroaci, ta vë në dispozicion të mbështetjes për arsimin në Kosovë.
Në takim u bisedua për mundësitë e mbështetjes për Kosovën në kualifikimin e mësimdhënësve të Arsimit dhe Aftësimit Profesional, validimit të kualifikimeve, si dhe për programe të reja dhe rishikim të programeve ekzistuese.