Shpallje
Me të arritur të kërkesave nga koleget e kolegët tanë për organizimin e trajnimeve, koordinatori për organizim të brendshëm Ymer Ymeri bashkë me zyrtaren për trajnime Albina Arifi e stafin qendror kanë komunikuar me trajnerët për të organizuar trajnimet sipas vullnetit të anëtarësisë. Kështu në shkollën "Rasim Kiçina" të Drenasit ka nisur me sukses trajnimi "Aplikimi i programeve kompjuterike në mësimdhënie" me trajnerin Nexhmedin Gruda. Trajnimi i njëjtë e i udhëhequr nga trajneri Albert Samadraxha është duke u organizuar edhe në shkollën "Avdyl Frashëri" të Prizrenit, kurse në shkollën "Dardania" të Prishtinës me sukses ka nisur trajnimi "Udhëheqja dhe planifikimi strategjik në Arsimin Parauniversitar" me trajneren Valentina Sopjani.
Kryetari i Kuvendit të Sindikatës së Arsimit parauniversitar për Prishtinën Ahmet Pllana ka vizituar pjesëmarrësit në trajnim duke u dëshiruar arritje më të mëdha e duke u shprehur se SBASHK-u, krahas angazhimeve të shumta në shërbim të anëtarësisë, po organizon me sukses edhe trajnimet e licencuara bazuar në vullnetin dhe kërkesat e anëtarësisë. Ai ka deklaruar se ky aktivitet tepër me rëndësi do të vazhdojë të organizohet edhe në të ardhmen dhe për këtë ka falënderuar stafin qendror të SBASHK-ut.
SBASHK shpreh respekt për gatishmërinë e trajneres Sopjani dhe trajnerëve Samadraxha e Gruda që të japin kontribut maksimal për rrjedhën e mbarë të këtij aktiviteti në shërbim të anëtarësisë.