Shpallje
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka nënshkruar Udhëzuesin “Planifikimi i ushqyerjes në institucionet parashkollore në Republikën e Kosovës”.
Ky udhëzues u hartua nga Grupi Multisektorial për Ushqyerjen e Shëndetshme, përfshirë Ministrinë e Shëndetësisë, ndërsa projekti në kuadër të cilit është hartuar ky udhëzues është mbështetur nga UNICEF Zyra në Kosovë.
Udhëzuesi ka për qëllim krijimin dhe integrimin e një mjedisi në sistemin parashkollor që promovon ushqyerjen e shëndetshme tek fëmijët dhe shprehitë e shëndetshme, me qëllim të arritjes së potencialit të plotë të fëmijëve.
Duke qenë se ushqyerja e shëndetshme gjatë fëmijërisë së hershme është faktor vendimtar për rritjen dhe shëndetin e fëmijëve dhe ushqimi i varfër në vlera ushqyese në fëmijëri ka pasoja afatgjata në shëndetin e njeriut, Udhëzuesi ofron informatat kyçe mbi rëndësinë dhe parimet e ushqyerjes se drejtë për këto mosha.
Po ashtu, Udhëzuesi ofron informata edhe për nevojat për ushqyerje të fëmijëve në institucionet e kujdesit ditor, kriteret për një mjedis të shëndetshëm të të ushqyerit, parimet e ushqyerjes së shëndetshme të ndara sipas grupmoshave të caktuara, menu konkrete për grupmosha të caktuara dhe të ndara sipas stinëve, etj.