Shpallje
Në Vushtrri është mbajtur Kuvendi zgjedhor i Sindikatës së Arsimit Parauniversitar për këtë komunë. Në hapje të këtij takimi kryetari Alush Maloku ka përshëndetur të pranishmit e pastaj ka falënderuar kryetarin e SBASHK-ut Rrahman Jasharaj dhe koordinatorin për organizim të brendshëm Ymer Ymeri për pjesëmarrje në këtë Kuvend zgjedhor. Pas kësaj kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj në fjalën përshëndetëse ka përgëzuar kryetarët e shoqatave sindikale dhe gjithë koleget e kolegët në Vushtrri për përkushtimin në misionin e shenjtë për edukimin e arsimimin e brezave dhe për unitetin sindikal, kurse koordinatori për organizim të brendshëm Ymer Ymeri ka dhënë sqarime lidhur me ecurinë e zgjedhjeve duke u bazuar në kërkesat e qarta të Statutit të SBASHK-ut.
Pas kësaj kryetari Maloku ka prezantuar raportin e punës dhe atë financiar për periudhën e kaluar, të cilat janë aprovuar nga pjesëmarrësit e këtij takimi. Në pjesën e dytë të punimeve të këtij Kuvendi është filluar me procesin e zgjedhjeve. Komisioni zgjedhor fillimisht ka shënuar kandidaturat e pastaj është nisur procesi zgjedhor përmes votës së fshehtë e në garën mes dy e më shumë kandidatëve për kryetar, nënkryetar, anëtarë kryesie, delegatë të Kongresit dhe përfaqësues në Këshillin Drejtues të SBASHK-ut nga kjo komunë.
Me votën e lirë ky Kuvend vendosi që kryetar i ri të zgjedhet Visar Sadriu, ndërsa nënkryetare Albulena Pllana. Janë zgjedhur edhe anëtarët e kryesisë, delegatët për Kongres dhe përfaqësuesit nga kjo komunë në Këshillin Drejtues të SBASHK-ut.
Kryetari i deritashëm Alush Maloku ka përgëzuar kryetarin e ri dhe është shprehur se do të vazhdojë të jetë i përkushtuar edhe në të ardhmen në gjithë angazhimet sindikale duke e përkrahur, ndihmuar e këshilluar kryetarin e ri. Kryetari i ri Visar Sadriu ka falënderuar pjesëmarrësit për besimin dhe është shprehur se do të angazhohet bashkë me kryesinë në shërbim të anëtarësisë duke qenë i sigurt se do ta ketë vazhdimisht përkrahjen dhe mbështetjen e stafit qendror të SBASHK-ut.
Edhe ky Kuvend duke vlerësuar lart angazhimin dhe përkushtimin e kryetarit të SBASHK-ut Rrahman Jasharaj ka dhënë mbështetjen që Jasharaj të zgjedhet edhe për një mandat kryetar i SBASHK-ut.