Shpallje
Sikur në vikendet e kaluara, edhe të shtunën e të dielën e 5 dhe 6 shkurtit koordinatori për organizim të brendshëm Ymer Ymeri bashkë me stafin qendror e në koordinim me disa prej kryetarëve të nivelit komunal sindikal kanë vazhduar me aktivitetin e trajnimeve të licencuara. Kështu në Malishevë pjesëmarrësit, pasi kanë përfunduar trajnimin për disa module të "Aplikimi i programeve kompjuterike në mësimdhënie" janë takuar prapë për të dëshmuar njohuritë e arritura.
Këtë aktivitet e ka monitoruar koordinatori për organizim të brendshëm Ymer Ymeri. Pjesë e këtij angazhimi ishte edhe kryetari i Kuvendit të Sindikatës së Arsimit Parauniversitar për Malishevën Skënder Gashi, i cili u ka uruar pjesëmarrësve sukses e pastaj ka falënderuar SBASHK-un për gjithë angazhimet në shërbim të anëtarësisë.
Në anën tjetër po në këtë vikend 35 kolege e kolegë nga komuna e Vitisë kanë nisur me trajnimin "Aplikimi i programeve kompjuterike në mësimdhënie"me trajnerin Musli Neziri. Në fillim të aktivitetit edhe kryetari i Kuvendit të Sindikatës së Arsimit Parauniversitar për komunën e Vitisë Kemajl Bislimi ka përshëndetur pjesëmarrësit dhe trajnerin për tu dhënë pastaj sqarime lidhur me rrjedhën e këtij trajnimi. Pjesëmarrësit kanë shprehur mirënjohje dhe respekt për angazhimin dhe përkushtimin e SBASHK-ut duke vlerësuar se me njohuritë e reja që do të marrin nga ky trajnim do të jenë edhe të suksesshëm në procesin edukativ e arsimor.
Po në vikendin e 5 dhe 6 shkurtit ka filluar edhe trajnimi "Mësimdhënia e gjuhës dhe letërsisë shqipe për ciklin fillor dhe të mesëm" me trajneren Besa Hoxha Krasniqi. Në këtë trajnim që zhvillohet online pjesëmarrës janë koleget e kolegët tanë nga Mitrovica, Gjilani, Drenasi, Vitia, Prizreni, Klina, Lipjani, Fushë Kosova dhe Novobërda.