Shpallje
Në ambientet e Fakultetit të Edukimit në Prishtinë të shtunën e 2 prillit u mbajt Kongresi i 8-të i SBASHK-ut. Komisioni përgatitor, udhëhequr nga nënkryetarja Vjollca Shala, koordinatori për organizim të brendshëm Ymer Ymeri bashkë me stafin qendror dhe me vullnetarë sindikalë me përkushtim kishin bërë angazhime të jashtëzakonshme që kjo ngjarje e veçantë të ketë rrjedhë të mbarë.
SBASHK me punë e angazhim ka krijuar respekt meritor edhe të Internacionalja e Arsimit (EI), te Unioni i Sindikatave të Arsimit të Evropës (ETUCE), por edhe të sindikatat simotra nga shtetet e ndryshme dhe kjo u dëshmua edhe me pjesëmarrjen e tyre në Kongres. Ishin në këtë ngjarje të rëndësishme dhe me fjalët përshëndetëse shprehen gjithë respektin, por edhe përkrahjen për angazhimet e SBASHK-ut Drejtorja e ETUCE-së Susan Flocken, mikja e madhe e SBASHK-ut Trudy Kerperien, që është anëtare e Bordit qendror të EI-së, nënkryetare e ETUCE dhe sekretare për marrëdhënie me jashtë e Sindikatës së Arsimit të Holandës, drejtori i programit të Qendrës së Solidaritetit me bazë në SHBA Steven McCloud, Kryetari i sindikatës së Arsimit të Turqisë Ali Yalçin, Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Arsimit nga Shqipëria Nevruz Kaptelli, kryetari i Federatës Sindikale të Arsimit dhe Shkencës nga Shqipëria Isa Rekaj, Kryetari i Sindikatës së Arsimit të Maqedonisë së Veriut, Jakim Nedelkov, Kryetari i Sindikatës së Arsimit nga Mali i Zi, Radomir Bozhoviq, Kryetari Sindikatës së Arsimit nga Qiproja turke Ozan Elmali , përfaqësuesi nga Presheva, Bujanovci dhe Medvegja profesori i nderuar Agim Hasani, Rektori i nderuar Artan Nimani, Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës prof. dr. Hysen Sogojeva, Kryetari i Këshillit të Prindërve të Komunës së Prishtinës Jeton Demi, Kryetari e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës Blerim Syla dhe kryetari i nderuar të BSPK-së, prof. dr. Atdhe Hykolli. Delegatëve dhe mysafirëve me një fjalë rasti u është drejtuar edhe ministrja e MASHTI-t, Arbërie Nagavci.
Në fillimet e punimeve të Kongresit në kuadër të fjalës përshëndetëse kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj ka shprehur respekt të lartë për unitetin e shkëlqyer të gjithë anëtarësisë e pastaj me një fjalim emocional ka kujtuar koleget e kolegët që pandemia duke u bërë mik i ngushtë me vdekjen i mori duke na krijuar zbrazëti e dhembje të madhe. Pas kësaj kryetari Jasharaj duke folur për arritjet dhe angazhimet e SBASHK në të ardhmen u ka deklaruar delegatëve se nuk bën shumë plane të angazhimit në letër sepse plani i veprimit e angazhimit të SBASHK-ut janë kërkesat dhe zëri i anëtarësisë.
I penguar që të jetë në Kongres nga angazhimet e shumta dhe situatat e reja të krijuara në shumë sindikata kudo në Evropë e botë, sekretari i përgjithshëm i EI-së, David Edvards i është drejtuar pjesëmarrësve me një mesazh përmbajtjesor e domethënës nga larg duke ripërsëritur përkrahjen e Internacionales së Arsimit për SBASHK-un në përpjekjet për realizimin e kërkesave të anëtarësisë. Pas kësaj Drejtorja e Komitetit Evropian të Sindikatave për Arsim znj. Flocken i është drejtuar Kongresit duke ia bërë të qartë Ministres Nagavci se të 11 milionë anëtarët e Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës ishin dhe janë me sindikatën anëtare SBASHK dhe e mbështesin në të gjitha angazhimet në shërbim të anëtarësisë. Ajo ka përsëritur se Qeveria ka obligim të zhvillojë dialog të mirëfilltë me SBASHK-un dhe të realizojë kërkesat legjitime. Mikja e madhe e SBASHK-ut znj. Kerperien, që është anëtare e Bordit qendror të EI-së, nënkryetare e ETUCE dhe sekretare për marrëdhënie me jashtë e Sindikatës së Arsimit të Holandës ka kujtuar bashkëpunimin me SBASHK-un nëpër vite e dekada duke shprehur gëzimin për arritjet e shumta që ka shënuar kjo sindikatë. Edhe mysafirët tjerë në fjalët e tyre përshëndetëse kanë vlerësuar lart angazhimet dhe arritjet e SBASHK-ut duke ripërsëritur se solidarizohen dhe mbështesin këtë sindikatë në gjithë përpjekjet për realizimin e kërkesave të anëtarësisë. SBASHK duke vlerësuar lart angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme morale për gjithë sindikatat në botë e në veçanti edhe ndaj SBASHK-ut ka nderuar me titullin më të lartë Honoris Causa Fehmi Agani sekretarin e përgjithshëm të Internacionales së Arsimit David Eduards, Drejtoren e Unionit Evropian të Sindikatave për Arsim Susan Flocken dhe koordinatorin për organizim të brendshëm Ymer Ymeri për kontribut të lartë në gjithë angazhimet dhe aktivitetet e SBASHK-ut në shërbim të anëtarësisë.
Një moment i veçantë e plot emocione në Kongres ishte lartësimi i kujtimit për koleget e kolegët tanë të vdekur nga Covid.
"Covid u bë shok i ngushtë me vdekjen dhe ua ndërpreu rrugëtimin në misionin e shenjtë shumë kolegeve e kolegëve tanë. Lajmet që ata më nuk janë mes nesh na pikëlluan vazhdimisht dhe edhe sot e gjithmonë do ta ruajmë e lartësojmë kujtimin për ta", u shpreh plot emocione kryetari Jasharaj teksa në ekran shfaqeshin fotografitë e kolegeve e kolegëve tanë që nuk janë më mes nesh.
Në pjesën e dytë të punimeve Kongresi ka aprovuar raportet e punës dhe atë financiar e të Komisionit mbikëqyrës dhe ka votuar përbërjet e Komisioneve të Kongresit. Delegatët e kanë aprovuar me votën e tyre edhe Planifikimin buxhetor për 4 vitet e ardhshme.
Në vazhdim të punimeve delegatët janë njoftuar nga Komisioni Kandidues për propozimet e arritura për kryetar të SBASHK-ut dhe për Komisionet gjegjëse. Delegatët e me votën e tyre të fshehtë e në garën mes dy e më shumë kandidatëve kanë zgjedhur edhe për një mandat Rrahman Jasharajn për kryetar të SBASHK-ut e po ashtu kanë votuar e zgjedhur edhe tre anëtarë të Komisionit Mbikëqyrës dhe pesë anëtarë të Komisionit Statutor. SBASHK falënderon dekanin dhe stafin e të punësuarit në Fakultetin e Edukimit për përkrahjen për mbajtjen me sukses të Kongresit.
Kongresi kishte rrjedhë të mbarë dhe përfundoi me sukses punimet. SBASHK falënderon mediet për raportimet dhe lajmet korrekte lidhur me Kongresin.