Shpallje
Në afatin e paraparë me Statutin e SBASHK-ut është bërë konstituimi i Këshillit të ri Drejtues, i cili ka mbajtur takimin e parë në përbërje të re për të analizuar situatën aktuale e për të marrë vendime brenda kompetencave që ka.
Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj në fjalën përshëndetëse ka përgëzuar anëtarët e Këshillit Drejtues duke u kujtuar se janë pjesë e organit më të lartë të SBASHK-ut mes dy Kongreseve dhe se i presin shumë angazhime në përpjekjet për të realizuar kërkesat e anëtarësisë në këtë kohë plot sfida. Pas konstituimit të Këshillit Drejtues, kryetari Jasharaj i ka dorëzuar shkresën Komisionit kandidues duke u bazuar në pikën 22 te nenit 69 të Statutit të SBASHK-ut që ka të bëj me zgjedhjen e nënkryetares. Komisioni ka vlerësuar se kandidatja Vjollca Shala plotëson gjithë kriteret e kërkuara nga Statuti. Vjollca Shala ka prezantuar para pjesëmarrësve programin e punës për katër vitet e ardhshme dhe pas kësaj anëtarët e Këshillit Drejtues me votën e lirë e të fshehtë i kanë dhënë besimin edhe për një mandat koleges Shala që të jetë nënkryetare e SASHK-ut.
Pas kësaj anëtarët e Këshillit Drejtues kanë dëgjuar informatat e kryetarit Jasharaj, nënkryetares Shala dhe koordinatorit për organizim të brendshëm Ymer Ymeri lidhur me situatën aktuale dhe për angazhimet që janë bërë në kuadër të BSPK-së që të ketë dialog me institucionet dhe që të gjendet zgjedhje për kërkesat aktuale të anëtarësisë. Është theksuar se ka pasur takime e komunikim, porse kjo është vlerësuar e pamjaftueshme dhe prandaj në takimin e Kryesisë Ekzekutive të BSPK-së sindikatat anëtare janë pajtuar që të ketë edhe veprime sindikale duke saktësuar se më datën 12 maj tërë sektori i arsimit, por edhe sektorët tjerë publik do të mbajnë grevë njëorëshe, ndërsa më 20 maj, nëse deri atëherë nuk ka lëvizje e marrëveshje konkrete, atëherë do të organizohet një protestë me pjesëmarrjen e gjithë anëtarësisë.
Këshilli Drejtues i SBASHK-ut në këtë takim mori vendim që të fillohet me përgatitjet për realizimin e aktivitetit tradicional për dërgimin e një numri të konsiderueshëm të anëtareve e anëtarëve të SBASHK-ut për pushime në bregdetin shqiptar duke rikujtuar edhe kriteret që duhen respektuar nga shoqatat sindikale gjatë përzgjedhjes së pushuesve.