Shpallje
Michael Davenport, shef i misionit në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, ka thënë se edukimi medial është urgjencë në Kosovë e se duhet që sistematikisht të përfshihet në të gjitha nivelet e arsimit të rregullt në vend.
Në emisionin “EduMedia” në KTV, Davenport ka thënë se OSBE-ja e ka pasur fokus të madh lëndën e edukimit medial në Kosovë.
Ai ka thënë se me edukim medial nënkuptohet pajisja e të rinjve me njohuritë e nevojshme dhe me shkathtësitë për mendimin kritik ashtu që të mund të dallojnë dhe vlerësojnë burime mediale të besueshme e të vërteta nga ato që propagandojnë gjuhë të urrejtjes, ndarjes apo dezinformata.
“Është sfidë globale, por në Kosovë rreth 90 të atyre mbi 16-vjeç e shfrytëzojnë internetin dhe mbi 75 për qind përdorin rrjete sociale dhe përderisa është e vërtetë të thuhet se ka diversifikim mediash, që janë më dinamike dhe se kjo i jep fuqizim lirisë së medias, të rinjtë duhet të jenë të vetëdijshëm, tash duhet të jenë edhe më të vetëdijshëm, nga rreziqet dhe kurthet në të cilat mund të bien lehtë. Besoj se kjo është qenësore për të marrë vendime. Duhet ta kemi të qartë se të rinjtë në Kosovë janë shumë të dijshëm sa u përket mediave sociale. Fëmijët e mi kanë shkathtësi që unë s’do t’i fitoj kurrë. Por nga ana tjetër, të rinjtë si shfrytëzuesit kryesorë, janë më të rrezikuarit kur bëhet fjalë për gjuhë të urrejtjes apo ‘fake news’ apo dezinformatat. Prandaj besoj se edukimi medial për t’i fituar shkathtësitë është urgjente dhe besoj se duhet të bëhet sistematikisht në të gjitha nivelet e arsimimit të rregullt”, ka thënë Davenport.
Ai ka thënë se në vend duhet të ketë një kurrikulë gjithëpërfshirëse për edukimin medial dhe të ketë mësimdhënës të kualifikuar për ta ligjëruar lëndën me kompetencë.
Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë ka thënë se kjo organizatë e ka synim që të vazhdojë punën në zgjerimin e edukimit medial në shkolla.