Shpallje
Në praninë e shumë zyrtarëve të lartë të nivelit qendror e lokal, bashkëatdhetarëve dhe qytetarëve, ka filluar sot në qytetin e Gjilanit Karvani i Diasporës “Shijo Kosovën”.
Ky organizim është bërë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në bashkëpunim dhe koordinim edhe me disa komuna.
Në këtë ngjarje, që ka për qëllim forcimin e lidhjeve të mërgatës sonë me Kosovën, ka marrë pjesë zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, zëvendësministrja e Arsimit, Edona Maloku Bërdyna dhe ajo e Punëve të Jashme dhe Diasporës, Liza Gashi, si dhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.
Karvani i Diasporës, i cili filloi rrugëtimin nga qyteti i Gjilanit, do të vazhdojë nëpër qytete të tjera të vendit deri më 9 gusht dhe do të shoqërohet më shumë aktivitete kulturore dhe artistike.