Shpallje
Këshilli i Prindërve i Kosovës mori pjesë aktive në takimin e dytë të Forumit Nacional për Shkollat Miqësore "Rritemi bashkë". Ky forum diskutoi kësaj radhe për rezultatet e hulumtimeve në shkollimin parauniversitar, që nxjerrin në pah dukuri e sjellje që cenojnë sigurinë psikofizike të nxënësve ose e pengojnë zhvillimin normal të tyre. Po ashtu raporte e gjetje u prezantuan nga Shërbimi Policor i Kosovës por edhe institucione të tjera mbështetëse të sigurisë, që treguan për rritje të rasteve të raportuara nëpër shkolla, si pasojë e ngacmimeve por edhe sjelljeve e dukurive të pahijshme.
Forumi është në fazën e përgatitjes së një plani të punës, ku në qendër do të synohet të jetë ndërtimi i ambientit miqësore në shkollat e gjithëve vendit, përmes ngritjes së kapaciteteve brenda shkollave dhe përmirësimit të sigurisë jashtë tyre.
KPK do të vazhdojë të japë kontribut të parezervë në secilën iniciativë që prek interesin e fëmijëve dhe brenda të gjitha kapaciteteve që i ka në dispozicion. Gjithsesi se angazhimi i çdo prindi, në mbështetjen dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, duhet të shtohet për të qenë në hap me nevojat e kohës që janë gjithnjë e më komplekse për fëmijët tanë.