Shpallje
Përfaqësuesit e prindërve nga të gjitha rajonet e Kosovës, pasi kanë marrë mbështetjen nga kryetarët e këshillave të prindërve nëpër komunat përkatëse, e kanë zhvilluar mbledhjen për zgjedhjen e kryesisë së re të Këshillit të Prindërve të Kosovës më 13 maj 2022.
Procesi është përgatitur dhe mbështetur nga z. Sahit Berisha, Zyrtar për Bashkëpunimin me DKA, prinder, nxënës dhe mësimëdhënës në Ministrinë e Arsimit të Kosovës. Z. Berisha, pasi i ka prezantuar pjesëmarrësit dhe i ka njoftuar me qëllimin e mbledhjes, e ka liruar mbledhjen duke i lënë përfaqësuesit e prindërve të lirë të diskutojnë dhe vendosin.
Pas diskutimeve, me votim unanim Kryesia e KP e Kosovës vendosi që kryetar i Këshillit të Prindërve të Kosovës të jetë z. Jeton Demi, nënkryetare znj. Natyra Robelli dhe Sekretar z. Hazir Tigani. Mandati i tyre, dhe i anëtarëve të kryesisë përfaqësues të rajoneve, bashkë me dy përfaqësues të komuniteteve, është katërvjeçar.
KP e Kosovës kështu fillon një proces të ri të zhvillimit, duke synuar të ngrisë dhe përmirësojë rrënjësisht Këshillin e Prindërve të Kosovës, si në shtrirje, angazhim por edhe në përmirësimin e përgjithshëm edukativo-mësimor në institucionet parauniversitare.