shkolla logo
SHKOLLA FILLORE E MESME E ULËT

"Vëllezërit Frashëri"

Historiku i shkollës

RETROSPEKTIVË E ZHVILLIMIT TË SHKOLLËS SONË 

Në gjysmën e dytë të shek. XIX, saktësisht në vitin 1866 nisin hapat e parë të edukimit dhe arsimimit fillorë në Lipjan dhe në disa fshatra të komunës sonë. 

Për një kohë të gjatë mësimi ishte fetar dhe zhvillohej në mejtepe, kryesisht në gjuhën turke dhe arabe. 

Mundësitë e shqiptarëve për t'i vijuar mësimet në këto shkolla (mejtepe) ishin tejet të kufizuara, për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike të popullates, mungesës së kuadrit arsimor, mësimit në gjuhën joamtare, mungesës së mjeteve më elementare për punë etj. 

Këto formate shkollimi zgjaten deri në fillimin e luftërave Ballkanike, ku atëherë puna e shkollave u rëndua edhe më shumë, kurse në vitin 1915 gjatë luftës së Parë Botërore vie deri te ndërprerja e plotë e punës në shkollë. 

Me përfundimin e luftës së Parë Botërore, saktësisht në vitin 1918 filloi riorganizimi i punës në shkollë. Por, pushteti i atëhershëm nuk ishte i interesuar për shkollimin e fëmijëve shqiptarë dhe lejohej vetëm mësimi në gjuhën serbe. Edhe për kunder kësaj në shkollë u regjistruan edhe disa nxënës shqiptarë. 

Mesimi zhvillohej nga klasa e parë deri në klasën e katërt në një shkollë që e kishte ndërtuar pushteti i atëhershëm. 

Nga viti në vit, numri i nxënësve sa vinte e rritej, kështu që ishte nevojë e domosdoshme që të ndërtohej një shkollë e re. 

Organet e atëhershme shtetërore (që merrnin tatime të larta nga popullata vendore), në vitin 1925 ndërtuan objektin e ri shkollor me katër dhoma mësimi, me material të fortë ndërtimor dhe që për momentin i plotësonte nevojat dhe standardet për zhvillimin e procesit edukativo-arsimor. 

Sipas statistikave të para të udhëhequra në shkollë, në vitin 1936/1937 shkolla kishte katër paralele nga kl. I -IV me gjithsejt 172 nxënës ku 1/3 e të cilëve, përkatësisht 57 nxënës ishin shqiptarë, kurse arsimtarët ishin të përkatësisë serbe. 

Karakteristike e posaqme që ka përcjell shkollën tonë në këtë periudhë është moszgjidhja e çështjes nacionale dhe politika antishqiptare e asaj kohe, e cila ka çuar edhe në trajtimin jo të barabart të nxënësve shqiptarë karshi nxënësve të tjerë. 

Kjo bëri që shumë nxënës shqiptarë të mbesin jashtë bankave shkollore. 

Me fillimin e luftës së Dytë Botërore, në vitin 1941 nderpritet puna në shkollë, për të rifilluar nëvitin shkollor 1945/1946. 

Shtimi i vazhdueshëm i numrit të nxënësve që regjistroheshin dhe vijonin mësimet ne shkollën fillore në Lipjan, imponoi nevojen për rregullimin e lokalit shkollor. Kështu në vitin shkollor 1949/1950 u bë ndërtimi i shkollës së re dhe për herë të parë në këtë vit shkollor filloi organizimi i mësimit në gjuhën shqipe, plotësisht i ndarë nga mësimi në gjuhën serbe. 

Fillimisht mësimi në gjuhën shqipe zhvillohej si katër klasëshe dhe quhej GJIMNAZI I ULËT ose PRO-GJIMNAZI. 

Drejtor i parë i kësaj shkolle u emërua XHEVAT ALIU, e krahas tij punonin edhe arsimtarët HASAN SPAHIU, HASAN KRASNIQI, SHYQERI HAZIRI, ZENEL BALA, DIN MEHMETI, AGIM GJAKOVA, etj. 

Gjenerata e parë e semimaturantëve doli në vitin shkollor 1952/1953. Këtë fatë e patën 37 nxënës. Nga viti në vit numri i nxënësve sa vinte e rritej, sikurse edhe struktura kualifikuese e arsimtarëve që drejtpërdrejt ndikonte në ngritjen e cilësisë në punë. Kështu, nga bankat e shkollës sonë dolën shumë gjenerata të nxënësve të cilët më vonë bënë emër në shkollë dhe më gjerë. 

Mirëpo,me rrënimin e autonomisë së Kosovës, në vitin1989 fillojnë të vinë ditë të vështira për nxënësit dhe arsimtarët e shkollës sonë. 

Nga organet e imponuara serbe bëheshin presione të mëdha që të pranoheshin planprogramet mësimore unike, të cilat e përdhosnin kulturën dhe identitetin tonë kombëtar. 

Personeli arsimor shqiptar arriti t’iu bëjë ballë presioneve të vazhdueshme, duke shkëputur madje çdo bashkepunim me drejtorinë aktuale serbe dhe duke vu themelet e pavarësimit të sistemit arsimor shqiptarë. 

Viti shkollor 1991/1992 është vit i vendimeve të mëdha dhe të rendësishme për shkollen tonë. 

Kështu, me 06.02.1992, Këshilli i arsimtarëve mori vendim për caktimin e ushtruesit të detyrëssë drejtorit të shkollës. Në këtë detyrë u emërua DALIP ALIU arsimtar i shkollës sonë. Pas kësaj, u vazhdua edhe më tej me institucionalizimin e shkollë sonë. 

Me 02.04.1992 Këshilli i arsimtarëve mori edhe një vendim shumë të rëndësishëm dhe historik, duke e emertuar shkollën tonë me emrin: Shkolla fillore “VËLLEZËRIT FRASHËRI” - Lipjan dhe po me këtë emër u regjistrua në Ministrinë e Arsimit të Republikës së Kosovës, ku dhe u lëshua akti përkatës mbi regjistrimin e saj. 

Të gjitha këto bënë që organet serbe të shkollës dhe ato komunale të marrin vendim për largimin me dhunë të nxënësve dhe punëtorëve shqiptarë nga·objekti shkollor. Edhe pas shumë përpjekjeve të bëra nga punëtorët shqiptarë, por edhe nga prindërit për tu kthyer në objektet tona shkollore, organet serbe nuk lejuan kthimin në shkollë. 

Keshtu, organet serbe mbyllen shkollën për nxënësit shqiptarë, por nuk munden ta shuajnë dëshirën e shqiptarëve për dije e arsimim. 

Prandaj, në vitin shkollor 1992/1993 u detyruam të kalojmë në objekte private, përkatësisht nëpër shtëpi-shkolla. Pra, shqiptarët hapen zemrat dhe shtëpitë e tyre për ta mbajtur gjallë fjalën dhe shkollën shqipe. 

Në Lipjan shtëpit e tyre i lëshuan: Hasim lbrahimi, Ejup Gashi, Hilmi Krasniqi, Hysen Bytyqi, ldriz Kongjeli, Halit Sejdiu, në Lepi-Radevë, Ramadan Qerkini, në Hallaq i Madh Shefqet Zeqiri, në Jeta e Re, Rexhep Stublla dhe Hafir Spahiu, në Suhadoll mësimi u organizua në shtëpinë e Osman Vehapit. 

Me kushte të tilla të punës dhe me sakrificen e madhe të punëtorëve të arsimit, në lokale private shtëpishkolla u punua deri më 19.03.1999, kur u nderpre mësimi për shkak te eskalimit të Luftës që po zhvillohej në mes të regjimit serb dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së). 

Me të perfunduar lufta u kthyem në objektin shkollor. Ndodhi kjo me 26.06.1999.

Të dhënat e shkollës


  • Drejtori Jakup Bahtiri
  • Adresa Lipjan
  • Komuna Lipjan
  • Mob: 038581151
  • Email jakupbahtiri@hotmail.com
  • Dita e shkollës 8 qershor
Neni 19 - Këshilli i prindërve

1. Çdo institucion arsimor apo aftësues duhet të ketë këshill të prindërve.